Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Naureda Llagami në fjalën e saj në Kuvend prezantoi raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.
Llagami theksoi se“në 4 muajt e parë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka zhvilluar mbi 5300 seanca gjyqësore dhe ka përfunduar me vendim të formës së prerë 2500 çështje”, tha ajo.
Llagami tha se “lidhur me projektin më madhor të KLGJ në këtë vit ka qenë zbatimi i hartës së re gjyqësore. Sot harta e re gjyqësore është realitet. Prej 1 shkurtit 2023 ne kemi vetëm një Gjykatë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila shtrihet në të gjithë territorin e Republikës”.
“Gjithashtu prej 1 majit 2023 kemi 13 gjykata të rretheve gjyqësore nga 22 të tilla që kishim parë dhe nga dita e sotme do të kemi vetëm 2 gjykata administrative të shkallës së parë duke u përmbyllur kështu edhe faza e tretë dhe e fundit e hartës së re gjyqësore”, theksoi Llagami.
Lidhur me aksesin në drejtësi të qytetarëve, Llagami tha se “KLGJ ka mundësuar edhe hapjen e zyrave të shërbimit si struktura të cilat ngrihen dhe funksionojnë pranë godinave të ish-gjykatave me qëllim ofrimin e shërbimeve administrative”. Llagami bëri të ditur se “ka filluar për herë të parë procesi i digjitalizimit të arkivës gjyqësore, e cila do të jetë një ndihmë e madhe për stafin e gjykatës dhe një instrument pozitiv”.