Deputeti socialist Pandeli Majko deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ndihet keq që deri më tani janë vënë para drejtësisë vetëm zyrtarë të majtë.
Majko theksoi se shumica qeverisëse e ka “provuar në kurrizin e saj shkopin e drejtësisë së re”.
“Mos prisni që t’u them që ndihem mirë kur shoh përfaqësues të politikës së majtë në burg. E vërteta është që ndihem keq. Por më keq ndihem kur përballem me pyetjen se mos vallë në këtë vend vetëm të majtët e shkelin ligjin?”, tha Majko.
Majko kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të mos u kthehet traditave të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që marrëdhënia me Prokurorin e Përgjithshëm të mos jetë si ajo e një ‘çifti të divorcuar’.
Ndërsa, sa i përket punës së SPAK, Majko tha se mbështet hetimin e nisur brenda strukturës së Posaçme për nxjerrjen e sekretit hetimor.