Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” të gazetares Elona Meço në RTSH, nuk e mohon që përçarja dhe konfliktet e kanë zvogëluar edhe peshën e PD në rrethet e BE apo EPP-së.
“Problemi kryesor qëndron se opozita nuk shihet si alternativë për të ardhur në pushtet. Loja e kungulleshkave, ndarja e partisë në disa pjesë i ka vënë ata (EPP) në pozitë. Besoj që shqetësimi më i madh sot është pamundësia për t’u rikthyer fuqishëm ose shenjat që mund të rikthehet fuqishëm, që dialogu dhe jo konflikti të zërë vend”,- tha Bregu.
Por a do të donte Majlinda Bregu të rikthehej në jetën politike shqiptare? Përgjigja është befasuese.
“Në formën që ka parlamenti sot, jo, nuk dua të kthehem. Përsa kohë ne të mos kthejmë respektin për njëri-tjetrin, pavarësisht kahut politik, do të vazhdojmë të endemi rrokopujë në pjesën e nivelit të demokracisë. Do të proklamojmë gjithmonë që do të jemi ithtarë të demokracisë, por gjithçka nis nga respekti i ndërsjellë për njëri-tjetrin, për oponentin kryesisht. Se çfarë sjellë e nesërmja, do ta shohim, ka kohë.”- u shpreh Bregu.