Vendosni fjalën kyçe....

Raporti Vjetor i Prokurorisë, Çela në Kuvend: Janë arrestuar në flagrancë 585 persona, efektiviteti i çështjeve për veprat e korrupsionit 91.35%


Kryeprokurori Olsian Çela prezantoi këtë të hënë në Kuvendin e Republikës, raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2022 në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij në parlament, prokurori Çela është shprehur se janë arrestuar në flagrancë 585 persona dhe se efektiviteti i çështjeve për veprat e korrupsionit është në nivelin 91.35%.

Çela ndër të tjera ka përmendur dhe luftën kundër lëndëve narkotike duke theksuar se për veprat penale prodhimi/shitja dhe kultivimi i narkotikëve, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 67,35 % e çështjeve janë dërguar gjykim, dhe 32,65 % e çështjeve janë pushuar.

 

Pjesë nga fjala e Çelës:

Efektiviteti i ndjekjes penale për disa grupvepra penale me tendencë në rritje ose në ulje sipas shtrirjes gjeografike, në vitin 2022: Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 573 procedimeve penale ku janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar 585 persona. Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, efiktiviteti vijon dukshëm i lartë, 91,35 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 8,65 % e çështjeve janë pushuar. Referuar të dhënave statistikore për këtë grupvepra, janë regjistruar 262 procedime penale me 201 të pandehur dhe 169 procedime me 187 të pandehur janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 162 % të numrit të procedimeve të regjistruara, rritje 212.9 % të numrit të procedimeve, rritje 114.9 % të numrit të pandehurve të dërguar për gjykim, si dhe me rritje mbi 3.7 herë (nga 19 në 91) të numrit të personave të dënuar për vepra penale kundër korrupsionit.

Prokurorët kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 61 procedime penale për veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën ose me rritje 3.3% të numrit të këtyre procedimeve krahasuar me vitin 2021. Këto procese kanë çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 58 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 45 % të numrit të personave të arrestuar në flagrancë apo të ndaluar për këtë grupvepra penale.

Nga 61 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 30 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën të transferuara për kompetencë dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë periudhë.

iii) Për veprat penale prodhimi/shitja dhe kultivimi i narkotikëve, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 67,35 % e çështjeve janë dërguar gjykim, dhe 32,65 % e çështjeve janë pushuar. Në këtë grupvepra vetëm vepra penale kultivimi i narkotikëve ka tendencë të ndjeshme në ulje prej 50.8 % e numrit të procedimeve, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte në rritje prej 10.05 %. Tendenca në ulje për këtë vepër penale i përket prokurorisë Shkodër (ku janë regjistruar 12 % e numrit total), me ulje 22 %, si dhe ulje të ndjeshme kanë dhe prokuroritë Vlorë prej 62 %, e Krujë prej 52 %, analizuar kjo dhe me peshën e procedimeve të regjistruara në këto prokurori.

iv) Efektiviteti i ndjekjes penale ka vijuar i lartë lidhur me dhunën në familje, për faktin se 82.7 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 17.3 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, procedimet e regjistruara vijojnë në rritje prej 3,3 %, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte më e lartë në rritje prej 12,4 %. Janë dërguar për gjykim 1093 procedime me 1182 të pandehur, ose me rritje 5,4% të procedimeve dhe 5,6 % e të pandehurve të dërguar për gjykim, në krahasim me vitin 2021.

-Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” sipas nenit 130/a i Kodit Penal, të dhënat statistikore evidentojnë se: kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 87,7 % janë për masa sigurimi me arrest dhe për 12.3 % është kërkuar caktimi i detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Rezulton se 61.7 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe 38.3 % e kërkesave janë për caktimin e alternativave të dënimit me burg ose me rritje 5,6 % të kërkesave për caktim e llojit të dënimit me burgim, krahasuar me vitin 2021.