Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Presidenti të zgjidhet nga populli për të balancuar pushtetet


Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar takime me mbështetës të tij në Divjakë nga ku shkruan se PD-ja po riorganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve.

Basha përsëriti katër premtimet e tij për të cilat thotë se do i realizojë duke filluar nga listat e hapura të vota e diasporës.

Ish-kreu i PD-së kërkon një President me rol më të fuqishëm që të bëjë balancën midis pushteteve duke kërkuar që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Postimi i Bashës:

Partia Demokratike po rioganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve dhe instrumenti i tyre për ta ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më.

Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë radhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë te njëjtat vlera me ne:

Për aleancën tonë me partnerët strategjikë;

Për luftën pakompromis ndaj korrupsionit;

Për pastrimin e politikës dhe për t’u dhënë fuqi shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.

Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:

Listat e hapura;

Vetting-un në politikë;

Kufizimin e mandateve;

Votën e diasporës.

Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojme rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.

Për këtë arsye:

Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;

Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;

Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;

Zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteteve.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!