Vendosni fjalën kyçe....

BE zbulon vlerën e aseteve të ngrira ruse, mund të përdoren për rindërtimin e Ukrainës


Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet dhe rezervat që i përkasin shtetit rus me vlerë 207 miliardë euro që nga sulmi i Moskës ndaj Ukrainës, zbuloi të hënën Komisioneri i Drejtësisë i BE-së, Didier Reynders.

“Komisioni Evropian po diskuton mundësinë e përdorimit të të ardhurave nga asetet ruse në shumën prej 207 miliardë eurosh të ngrira në BE, duke përfshirë asetet e Bankës Qendrore të Federatës Ruse, për të financuar rindërtimin e Ukrainës”, tha ai.

BE-ja dhe aleatët e saj kanë ngrirë qindra miliarda euro të zotërimeve të Bankës Qendrore ruse si pjesë e politikës së saj të sanksioneve, të cilat pritet të prodhojnë rreth 3 miliardë euro interes. Më shumë se gjysma e këtyre aseteve raportohet se janë në para dhe depozita, ndërsa një ‘shumë e konsiderueshme’ e pjesës së mbetur është në letra me vlerë.

Bloomberg raportoi muajin e kaluar se liderët e BE-së kishin konsideruar planet për të vendosur një taksë mbi fitimet e krijuara nga më shumë se 200 miliardë euro të aktiveve të ngrira të Bankës Qendrore ruse për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës.

Moska e ka përshkruar vazhdimisht çdo sekuestrim të aseteve të saj nga qeveritë perëndimore si vjedhje dhe të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.