Kreu i PD-së të Rithemelimit, Sali Berisha zhvilloi një takim në Rrogozhinë, bashki në të cilën do përsëriten zgjedhjet më 23 korrik.
Berisha kërkoi që të mbrohet fitorja e 14 majit që votoi për Shkëlqim Hoxhën por që u rrëzua nga vendimi i KAS dhe Kolegjit zgjedhor.
“Të mbrojmë fitoren e zgjedhjeve të 14 majit në këtë Bashki, e cila votoi për Shkëlqim Hoxhën, por që në mënyrë absurde u rrëzua nga vendimi i KAS dhe Kolegjit Zgjedhor”, deklaroi Berisha.
Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që votuan për ndryshimin në Rrogozhinë në zgjedhjet e 14 majit si dhe për kandidatin Shkëlqim Hoxha.
Ai theksoi se përballë qytetarëve dhe opozitës është makineria e një shteti e cila bën gjithçka për tjetërsimin e votës, ndaj kërkohet shumëfishim i përpjekjeve për të mbrojtur fitoren. Berisha kërkoi një punë serioze me të gjithë votuesit për t’i afruar ata në kutinë e votimit.