Vendosni fjalën kyçe....

Lajçak takohet me Kurtin: Ka mirëkuptim për kërkesat e BE-së


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën po qëndron në Kosovë, në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka thënë se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.

Ai shtoi se me kryeministrin Kurti i kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre dhe se “kanë rënë dakord që procesi të vazhdojë”.

Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt [Marrëveshja e Ohrit]”, tha Lajçak.

Në Prishtinë, Lajçak është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate për media, Presidenca ka njoftuar se gjatë takimit mes Osmanit dhe Lajçakut u diskutua për tejkalimin e “sfidave aktuale politike dhe të sigurisë”.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t’i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.”, citohet të ketë thënë Osmani.

Komunikata thotë se presidenjta gjithashtu ka theksuar se “grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë” dhe se Kosova mbetet “”e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”.

Lajçak më pas do të shkojë edhe në Serbi, në tentim për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen edhe tryezës së dialogut.