Joe Biden pengoi kandidaturën e Sekretarit britanik të Mbrojtjes Ben Wallace për të udhëhequr NATO-n, pjesërisht sepse ai shërbeu si ushtar britanik në Irlandën e Veriut, shkruan Daily Mail.
Aleatët e Wallace thanë se besonin se ishte një nga arsyet pse presidenti pro-irlandez i SHBA-së nuk e kishte mbështetur sekretari britanik, shkruan Daily Mail.
Njëri tha: “Biden i mban rrënjët e tij irlandeze jugore të rëndësishme dhe ai është i vetëdijshëm se Ben ka shërbyer në ushtrinë britanike gjatë trazirave.”
“Ai nuk është veçanërisht pro-britanik, kështu që ne dyshojmë se ishte një nga arsyet pse presidenti amerikan nuk e mbështet kandidaturën e Wallace.”
Sekretari i Mbrojtjes kishte zhvilluar një fushatë të fuqishme për të pasuar Jens Stoltenberg, i cili do tërhiqet nga posti këtë vjeshtë.
Por Wallace, i cili ka shërbyer në Irlandën e Veriut në vitin 1992, u tërhoq nga gara muajin e kaluar.
Deri më tani, arsyet për dështimin e Wallace për të arritur postin e NATO-s janë kërkuar te këmbëngulja e disa anëtarëve të BE-së, të cilët pas Brexit kërkonë që aleanca të drejtohet nga një emër që vjen nga Bashkimi Evropian.
Dje, aleatët e Wallace, i cili përfundoi dy shërbime operacionale në Irlandën e Veriut me Gardën Skoceze, ngritën çështjen e pikëpamjeve pro-irlandeze të presidentit amerikan Biden.
Në vizitën e tij në Irlandë në prill, Biden u akuzua se kishte shpërfillur Mbretërinë e Bashkuar duke mos mbajtur flamurin e Unionit në makinën e tij ndërsa ishte në Irlandën e Veriut, por duke i bashkangjitur flamurin e Republikës Irlandeze kur ishte në jug.
Deputetët konservatorë kanë thënë gjithashtu se Wallace ishte lehtësisht më i kualifikuari për këtë post, pasi ai vlerësohet për daljen fuqishëm në mbështetje të Ukrainës kur rusët sulmuan vendin shkurtin e shkuar.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha dje se sugjerimi se Wallace u bllokua për shkak të shërbimit të tij në ushtri në Irlandën e Veriut ishte ‘100 për qind i rremë dhe jo i saktë’.