Vendosni fjalën kyçe....

Shtohen ndërtesat, por bien të ardhurat që mblidhen ndaj tyre


Fondi i ndërtesave në të gjithë vendin ka pësuar rritje vitet e fundit.

Ndonëse që nga viti 2011 nuk ka të dhëna mbi numrin e saktë të ndërtesave në rang kombëtar, të dhënat mbi lejet e ndërtimit dhe lulëzimi i ndërtimeve informale në zonat rurale tregojnë se stoku i tyre është rritur ndjeshëm.

Logjikisht kjo duhet të rriste tatimin që vjel pushteti i lokal ndaj ndërtesave, por e kundërta ka ndodhur në vitin 2022, ku vërehet se të ardhurat në këtë zë kanë pësuar rënie.

Sipas raportit mbi të buxhetin e Pushtetit Lokal, i hartuar nga Co-Plan në vitin 2022, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat regjistruan një nivel prej rreth 4.5 miliardë lekë, në rënie të lehtë me rreth 2% në terma vjetorë.

Rreth 50% e të ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodhën në bashkinë Tiranë ndjekur nga ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodhën në bashkinë Tiranë ndjekur nga bashkitë Durrës (5% ndaj totalit), Shkodër dhe Vlorë (4% ndaj totalit përkatësisht).

Sipas bashkive, të ardhurat nga taksa e ndërtesës shënuan rritje në 30/61 bashki në vend dhe veçanërisht në bashkitë Himarë, Shkodër, Përrenjas, Maliq, Divjakë, Përmet, Bulqizë, Kamzë, Kolonjë, Pustec, Kavajë etj.

Në të kundërt, të ardhurat nga taksa e ndërtesës regjistruan rënie në 31/61 bashki si bashkitë Mallakastër, Mirditë, Selenicë, Memaliaj, Këlcyrë, Durrës etj.

Sipas zërave përbërës, performanca në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme udhëhiqet nga zhvillimet në të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat (mesatarisht 75% në tre vitet e fundit).

Raporti analizon se, rreth 5 vite nga reformimi i taksës së pronës (taksa e ndërtesës), problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.

Gjithashtu, rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna dhe sipërfaqeve ndërtimore pritej të jepnin një kontribut pozitiv në të ardhurën e gjeneruar prej kësaj takse. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në mesatarisht 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të EJL-së prej rreth 0.6% të PBB-së për vitin 2019 (NALAS, 2020).

Taksa mbi pasuritë e paluajtshme konsiderohet një e ardhur korrente e qëndrueshme në buxhetet vendore. Në rastin e 61 bashkive në Shqipëri, nuk janë të pakta problematikat e hasura në zbatimin e taksimit të pronës pas procesit të reformimit të vitit 2007.

Në ndryshim nga elementi i përqendrimit të të ardhurave nga taksa e ndërtesës në një numër të kufizuar bashkish, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore rezultojnë të jenë të shpërndara ndërmjet bashkive.

Niveli më i lartë i kësaj takse u mblodh në bashkinë Fier (rreth 13% e totalit), Divjakë (rreth 6% e totalit), Rrogozhinë, Tiranë dhe Roskovec (rreth 4% e totalit respektivisht), lidhur dhe me karakterin bujqësor të ekonomive të këtyre bashkive.

Të ardhurat nga taksa e truallit zënë një peshë të ulët në totalin e të ardhurave nga taksat e pronës (rreth 4%) dhe shënuan rënie me rreth 10% në terma vjetorë.

Të ardhurat nga taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë gjithashtu rezultojnë të kenë fituar peshë në dy vitet e fundit ndikuar dhe nga zhvillimet e përshpejtuara në sektorin e ndërtimit.

Për vitin 2022, të ardhurat nga taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë shënuan një nivel prej rreth 800 milionë lekë, në rritje me rreth 14% krahasuar me një vit më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor