Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht vendimin për deklarimin e etnisë në certifikatën e lindjes


Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut vendosi pezullim të përkohshëm të një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë për mundësinë e deklarimit të përkatësisë etnike në certifikatat e lindjes.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se vendimi i Ministrisë bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën dhe arsyeja kryesore për pezullimin është se vendimi nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare, brenda afatit shtatë ditësh nga miratimi i tij.

Ndërsa pritet që Gjykata të marrë një vendim të prerë, në certifikata nuk do të shkruhet përkatësia etnike.

Vetë ministri Lloga e ndoqi nga afër seancën e Gjykatës Kushtetuese. Ai u tha gazetarëve më pas se Gjykata me këtë vendim po hapë “Kutinë e Pandorës”, sepse në shumë raste të tjera nuk është respektuar rregulli për shpalljen e një vendimi në Gazetën Zyrtare brenda një afati shtatë ditor.

Ministri fajësoi Sekretariatin e Qeverisë për vonesën e nxjerrjes së vendimit të Ministrisë së Drejtësisë në Gazetën Zyrtare.

Duke bërë me dije se nuk është hera e parë që vonohen shpalljet në Fletoren Zyrtare, zoti Lloga u shpreh se: “Prej nesër personalisht do të paraqes dhjetra nisma në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e afatit ligjor që parasheh shpalljen e çdo ligji dhe akti juridik nga institucionet në Gazetën Zyrtare”.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të përgatitet një tekst i ri, megjithatë identik me vendimin e vjetër, me të cilin do të respektohen afatet ligjore të publikimit në Gazetën Zyrtare.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga e kërkoi vendosjen e përkatësisë etnike në certifikata për shkak të një morie deklarimesh të rreme gjatë konkurrimeve për vende pune në administratë apo istitucione publike të maqedonasve të cilët deklaroheshin si “shqiptarë”, apo si pjesëtarë të pakicave të tjera etnike në konkurset për vende pune të rezervuara me Marrëveshjen e Ohrit për pjesëtarët e këtyre komuniteteve.

Mundësia e paraqitjes së përkatësisë etnike në cerftifikata ka qenë një kërkesë e mëhershme e Aleancës për Shqitarët, pjesëtar i së cilës është ministri Lloga.

Zoti Lloga publikoi para pak ditësh në rrjetet sociale një certifikatë të tijën ku shkruhej “shqiptar” në kolonën e përkatësisë etnike.

Por, një numër ekspertësh ligjorë maqedonas, përfshirë dhe pararendësen e zotit Lloga, Renata Deskoska (LSDM) vlerësojnë se përkatësia etnike në certifikata nuk është ligjore.

Aktualisht, në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes, veç të dhënave si emri, mbiemri e adresa qëndron dhe shtetësia (e Maqedonisë së Veriut), por jo dhe përkatësia etnike.