Vendosni fjalën kyçe....

Kina anulon vizitën e kryediplomatit të BE-së


Kina ka anuluar një vizitë të planifikuar nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, njoftoi të martën një zëdhënës i bllokut. Udhëtimi i diplomatit thuhet se ishte planifikuar për javën e ardhshme.

“Fatkeqësisht, ne u informuam nga homologët tanë kinezë se datat e parashikuara javën e ardhshme nuk janë më të mundshme dhe tani duhet të kërkojmë data alternative”, tha zëdhënësja Nabila Massrali për Reuters në një deklaratë me shkrim.

Pekini nuk e kishte konfirmuar vizitën dhe nuk ka dhënë asnjë koment për anulimin e saj me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning duke deklaruar në një konferencë të rregullt për shtyp të martën se ajo nuk kishte ndonjë informacion për të ndarë mbi udhëtimin e mundshëm të Borrell.

Vizita u njoftua nga i dërguari i BE-së në Kinë, Jorge Toledo, në margjinat e Forumit të 11-të Botëror të Paqes në Pekin të dielën. Borrell do udhëtonte në Kinë të hënën e ardhshme, tha Toledo, për të adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura me Pekinin, duke përfshirë ‘partneritetin’, ‘konkurrencën’ dhe ‘rivalitetin sistemi’”.

“Ky do jetë vendi për të ngritur të gjitha këto çështje, veçanërisht çështjet strategjike që kemi me Kinën,” tha Toledo, duke shtuar se Borrell ishte planifikuar të takohej me ministrin e Jashtëm kinez, Qin Gang.

Borrell do vizitonte Pekinin në prill të këtij viti, menjëherë pasi shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe presidenti francez Emmanuel Macron vizituan vendin. Megjithatë, kryediplomati rezultoi pozitiv me koronavirus dhe udhëtimi u riplanifikua.

Borrell ka dhënë më parë sinjale të përziera për lidhjet me Kinën, duke e quajtur atë një ‘rival’ por edhe një partner.