Prokurorët suedezë kanë ngritur aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos muajin e kaluar.
Gazeta lokale Sydsvenskan raportoi të mërkurën se Thunberg u arrestua me aktivistë të tjerë pasi ata ndaluan trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.
Një deklaratë e shkurtër nga prokurorët suedezë të mërkurën tha se një “grua e re” u akuzua për mosbindje sepse “refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes” gjatë protestës. Deklarata nuk e identifikoi personin, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze Annika Collin konfirmoi se ishte Thunberg, përcjell REL.
Gazeta Sydsvenskan tha se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të korrikut.
Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.
Ekipi mediatik i Thunberg nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.