Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë marshuar drejt Kuvendit për të protestuar kundër vendimit të qeverisë që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite.
Gjatë marshimit ata mbanin pankarta në duart ndërsa thërrisnin: ‘Bashkohuni me ne’, ‘E duam Mjekësinë si gjithë Europa’ dhe ‘Anuloni vendimin, zero kompromis’.
Sipas tyre, masa e qeverisë është represive dhe se ata nuk kanë ndërmend që të largohen nga Shqipëria. Studentët i kërkojnë qeverisë të përmirësojë kushtet, auditorët, ambientet e praktikës dhe spitalet rajonale, që sipas tyre, nuk kanë elementet për ushtrimin normal të profesionit.
Më herët qeveria ka ndryshuar propozimin fillestar lidhur me çështjen në fjalë. Për studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri.
Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite.
Këto masa shikohen nga qeveria dhe dikasteret përkatëse, si të duhura për të frenuar emigracionin e bluzave të bardha. Duke nisur nga ky vit i ri akademik, janë rritur edhe kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë.