Vendosni fjalën kyçe....

Nafta, ENI gati të nisë shpimet për pusin kërkimor ‘Dumrea Deep-1’


Pas përfundimit të studimit gjeofizik dhe vlerësimi të rezultateve të nxjerra kompania italiane Eni e cila ka një kontratë me ndarje prodhimi me qeverinë shqiptare parashikon të nisë shpimin e pusit të parë kërkimor.

Një dokument i fundit i kompanisë që vlerëson ndikimet sociale dhe mjedisore bën me dije se pusi kërkimor ‘Dumrea Deep-1’ ka si synim të vlerësojë praninë e mundshme të një akumulimi hidrokarburesh ende të panjohur.

“Aktualisht, pas rezultateve të studimit gjeofizik, Eni po përgatitet të kryejë aktivitete kërkimore në Bllokun Dumre me shpimin e pusit ‘Dumrea Deep-1’. Projekti synon të vlerësojë praninë e rezervuarit naftëmbajtës që pritet të jetë midis 5000 – 6500 metra thellësi në tokë. Ka edhe gjasa që mos të gjendet prani e hidrokarbureve brenda strukturës së synuar. Pas përfundimit të operacioneve të shpimit, pusi do të mbyllet dhe izolohet siç duhet (do të mbyllet dhe do të braktiset). Sonda e shpimit, pajisjet ndihmëse dhe strukturat do të hiqen nga vendi i shpimit dhe sheshi i pusit do të rikthehet në gjendjen e tij fillestare sipas Planit të Braktisjes dhe Rehabilitimit” thuhet në raport.

Sipas dokumenteve në dhjetor 2019, Eni Albania nënshkroi një Kontratë me Ndarje Prodhimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Bllokun Dumre në rajonin qendror të vendit, miratuar nga VKM nr. 187 datë 26/02/20.

“Në përputhje me angazhimet që rrjedhin nga Kontrata për Ndarje Prodhimi, Eni Albania ka kryer fazën fillestare të programit të kërkimit, konkretisht studimin gjeofizik të Bllokut Dumre. Programi i studimit gjeofizik është realizuar gjatë viteve 2021-2022” thuhet në raport.

Qeveria e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor