Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë pparalajmëruar tjetër protestë paraditen e sotme. Pas një takimi ditën e djeshme, ata kanë vendosur të mblidhen në oborrin e fakultetit mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00.
Protesta e tyre vjen pas projektligjit të qeverisë për të mbajtur me detyrim në Shqipëri studentëtë e mjekësisë për 5 vite pas përfundimit të universitetit.
Pas mbledhjes në oborrin e fakultetit, studentët pritet të marshojnë drejt parlamentit, ku deputetët do mblidhen në seancë plenare. Ata kundërshtojnë projektligjin në fjalë që pritet të miratohet për t’u kthyer në ligj.
Studentët kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë përmirësimin e kushteve, të auditorëve, ambienteve të praktikave dhe spitaleve rajonale, që sipas tyre, nuk përmbajnë elementet për ushtrimin normal të profesionit.
Nga ana tjetër qeveria, ndryshoi propozimin e artikuluar më herët. Për studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri.
Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite.