Vendosni fjalën kyçe....

Universiteti Mesdhetar çertifikohet për standardet e cilësisë nga Komisioni Europian


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë çertifikohet nga Komisioni Europian. Lajmin e bëri me dije Presidenti i këtij Universiteti, Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli, gjatë një dalje për mediat. 

“Ky çertifikim na bën të ndjehemi krenarë për vlerësimin e marrë përsa i përket pjesëmarrjes, standardeve, cilësisë dhe mundësive për studentët dhe stafin akademik shqiptar në programin Erasmus+. Është një lajm i rëndësishëm për Universitetin, stafin akademik, prindërit e studentëve tanë por edhe të atyre maturantëve që do të mirëpresim këtë vit”, tha Angjeli.

Ai shtoi se në datën 30 qershor 2023, Komisioni Europian ka njoftuar zyrtarisht Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë për fitimin e akreditmit dhe çertifikimit “ERASMUS CHARTER FOR HIGHER EDUCATION 2021-2027”

“ERASMUS CHARTER FOR HIGHER EDUCATION 2021-2027” (ECHE) ofron kuadrin e përgjithshëm të cilësisë për aktivitetet e bashkëpunimit evropian dhe ndërkombëtar që një institucion i arsimit të lartë mund të kryejë në kuadër të Erasmus+.

“Ky akreditim mundëson gjithashtu zgjerimin e rrjetit të partneritetit të Universitetit Mesdhetar me të tjera Universitete europiane dhe më shumë mundësi për studentët dhe pedagogët tanë për të kryer një vit akademik ose një semestër në këto vende. Edhe pas këtij akreditimi ndërkombëtarizimi do të vijojë të mbetet prioritet yni”, u shpreh Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici.

Zv Rektorja e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Greta Angjeli theksoi se me këtë çertifikim çdo kredit që fiton një student i UMSH-së do të njihet njësoj edhe ne vendet e Bashkimit Europian.

“Për herë të parë, Komisioni Europian lejoi institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor të aplikonin për çertifikimin “ERASMUS CHARTER FOR HIGHER EDUCATION 2021-2027”. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është i pari institucion i arsimit të lartë që aplikoi për këtë çertifikim dhe me krenari themi i pari në Shqipëri që e fitoi këtë vlerësim”, u shpreh Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Elton Skendaj

Ky lloj çertifikimi shërben si dokument akreditimi përsa i përket standardeve dhe cilësisë së IAL-ve në pjesëmarrjen e tyre në programet e BE-së dhe një tregues i qartë i standardeve europiane që aplikohen në UMSH ashtu si në të gjitha universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është një institucion i cili ofron standardet më të larta në mësimdhënie, kërkim shkencor, dhe pjesëmarrjen në projektet dhe programet e financuara nga Komisioni Europian. Marrja e këtij çertifikimi nga UMSH do të shërbejë si një shtysë dhe motivim për të ofruar gjithmonë më të mirën për studentët dhe stafin akademik dhe një tregues se UMSH mbetet një nga portat kryesore të ndërtimit të së ardhmës Europiane të të rinjve shqiptarë.

Angjeli u shpreh se kjo çertifikatë është pasaporta e cilësisë së Universiteit Mesdhetar të Shqipërisë këto 15 vjet

“Dhënia e kësaj çertifikate është me të vërtetë një pasaportë që i jepet Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, si një ndër Universtetet në rajonin e Ballkanit”, theksoi Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Anastas Angjeli në fjalën e tij. Sipas tij, në këto 15 vite kjo është arritur, falë veprimtarisë së tij në fushën e edukimit në arsimin e lartë cilësisë dhe standardeve që ky Universitet ka aplikuar dhe aplikon në këtë fushë, falë punës dhe përkushtimit të stafit shkencor, falë pjesëmarrjes aktive në programin Erasmus dhe projekteve falë këtij programi, ku disa herë edhe lider i këtyre projekteve, përvecse partner. Ky çertifikim shënon një hap përpara në ndërkombëtarizimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, i cili pas 50 marrëveshjeve me institucione arsimore të rajonit dhe të botës merr dhe vulën e kësaj çertifikate kaq të rëndësishme për aktivitetin e tij, çka e bën Universitetin Mesdhetar në këto 15 vite një universitet elitë”, tha Angjeli.