Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me qytetarët në Tiranë: Do zhbëjmë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, më shumë kompetenca Presidentit


Kandidati për kreun e PD-së Lulzim Basha tha sot se hapja e partisë ndaj të rinjve është një nga prioritetet.

Gjatë një takimi me qytetarët në zonën e ‘Ali Demit’ Basha tha se partia ka nisur riorganizimin për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë.

Basha shtoi se PD-ja do vendosë aleancë të gjerë me qytetarët duke i dhënë rëndësi votës, proces që do nisë me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe duke i dhënë me shumë kompetenca Presidentit.

Njoftimi

“Hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe të rejave është një nga prioritetet tona. Harmonizimi i frymës dhe pasionit të rinisë me përvojën dhe profesionalizmin e kontributorëve ndër vite, është një hap i rëndësishëm në riorganizimin që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë. Natyrisht pjesë e saj do të jenë të gjithë ata që duan ndryshim, që duan që për qeverisjen dhe deputetët të vendosin qytetarët dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë shtetin, ekonominë, policinë, zgjedhjet, jetën e vendit. Ne do të krijojmë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare, që frikës dhe pasigurisë që ka pllakosur shoqërinë tonë, t’i kundërvihet me shpresë dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë për mirë, duke i dhënë rëndësi votës së qytetareve, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Që zëri i qytetarëve të dëgjohet, vullneti i tyre të përfaqësohet dhe interesat e tyre të mbrohen, do të punojmë fortë që mekanizmat kushtetues të jenë në shërbim të tyre, duke hapur listat, pastruar politikën përmes vetting-ut, kufizuar mandatin e kryeministrit, garantuar votën e diasporës, duke i dhënë më shumë kompetenca Parlamentit dhe Presidentit të Republikës, për të garantuar kontrollin dhe balancat e pushteteve.”