I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani evropian për Kosovën është i mirë dhe se “nuk i përshtatet asnjërës palë” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do “të humbas mundësinë” nëse ai nuk pranon ta zbatojë atë.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se masat ndëshkuese për Kosovën për shkak të mospërfilljes së kërkesave të aleatëve perëndimorë, nuk përfshijnë largimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.
Escobar e tha këtë të premten në një bisedë me gazetarët kroatë në Zagreb para se të nisej për në Forumin e Dubrovnikut , raporton agjencia Hina të shtunën, transmeton Beta.
Këto deklarata Escobar i bëri në kohën kur veriu i Kosovës po përballet me trazira
Trazirat shpërthyen pasi kryetarët e zgjedhur shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe morën detyrën me asistencën e policisë, pas zgjedhjeve lokale që u bojkotuan nga shumica e serbëve.
I dërguari amerikan tha se ka “indikacione pozitive” se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së për dalje nga kriza, por se nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës Kurti.