Vendosni fjalën kyçe....

Nikolini, Blendi Fevziu dhe unë


Nga Ben Blushi

Nikolinin e takova në një lokal me emër francez në Shëngjin. Unë po haja një sallatë me kastraveca, Nikolini po shiste libra.

Për herë të parë e kisha takuar përpara 34 vitesh në fshatin Rrilë të Lezhës. Për herë të fundit para 6 vitesh në një fshat tjetër, ku kisha shkuar për të mbledhur vota.

Kur jemi takuar për herë të parë Nikolin ?

Në vitin 1989,tha Nikolini

Atëherë isha student,thashë unë

Ju kishin sjellë për të punuar tokat, tha Nikolini

Po ti cfarë bëje në fshat Nikolin ?

Isha punonjës i kulturës, tha Nikolini

Cfarë i bëje ti kulturës Nikolin ?

Merresha me drama, tha Nikolini

Ke vënë drama në skenë Nikolin?

Kam vënë,tha Nikolini

Më thuaj një dramë Nikolin,

Krisma në Paris, tha Nikolini

Është ajo drama ku Avni Rustemi vret Esat Pashën, Nikolin?

Ajo është, tha Nikolini

Ti ishe rregjisor Nikolin?

Unë isha rregjisor,tha Nikolini

Kush e luante Avni Rustemin, Nikolin?

E luante Kol Kunora,tha Nikolini

Po Esat Toptanin kush e luante?

Ndu Rrapi,tha Nikolini

Cfarë ishte Ndu Rrapi Nikolin?

Ishte roje kooperative,tha Nikolini

Ti kishe dhe një karrocë Nikolin,

Kisha dhe karrocë dhe kalë, tha Nikolini

Po pse kishe karrocë Nikolin ?

Bleja gazetat në qytet, tha Nikolini

Kali quhej Zubizareta,thashë unë

Ashtu quhej,tha Nikolini

Po pse quhej ashtu, thashë unë

Ti ia vure emrin Zubizareta,tha Nikolini

A e di kush ishte Zubizareta Nikolin?

Ishte futbollist,tha Nikolini

Ishte portjeri i Barcelonës Nikolin,

Ai ka luajtur kundër Vlorës,tha Nikolini

E kam takuar në Rinas, thashë unë

Kishte hap të madh,tha Nikolini

Portjeri apo kali,e pyeta

Kali,tha Nikolini

Ishte kalë i bukur,thashë unë

Blendi Fevziu e ngiste mirë,tha Nikolini

Ca i bënte Fevziu Zubizaretës Nikolin?

I gjuante me kamzhik,tha Nikolini

Po ty të vinte keq Nikolin ?

Une i gjuaja dhe vetë, tha Nikolini

Ku na coje me karrocë,e pyeta

Ju coja në fushë,tha Nikolini

Po ne nuk punonim Nikolin,

Ju nuk kishit ardhur për punë,tha Nikolini

Kushedi sa na shante fshati,thashë unë

Prapë ishit djem të mirë,tha Nikolini

Cfërë bënim gjithë ditën, Nikolin?

Bënit qejf,tha Nikolini

Cfarë qejfi bënim Nikolin?

Futeshit në det me vajzat, tha Nikolini

Po Fevziun e sheh në televizor,Nikolin ?

E shoh cdo natë,tha Nikolini

Si të duket Nikolin ?

Ka qenë djalë i mirë, tha Nikolini

Pse tani si është,e pyeta

Ka ndryshuar pak, tha Nikolini

Si ka ndryshuar Nikolin ?

Po ja sillet pak, tha Nikolini

Si sillet Nikolin?

I gjuan të ftuarve me kamzhik,tha Nikolini

është mësuar me Zubizaretën,thashë unë

Me siguri,tha Nikolini

Po tani me se merresh Nikolin?

Shes libra,tha Nikolini

Lodhesh shumë, thashë unë

Eci gjithë ditën,tha Nikolini

Sa ecën, Nikolin?

20 kilometra,tha Nikolini

Sa libra shet Nikolin ?

Sot kam shitur 25, tha Nikolini

Ca shet më shumë Nikolin?

Dashuri dhe histori, tha Nikolini

Kush i blen,e pyeta

Gratë dhe kosovarët,tha Nikolini

Do blej dhe unë një libër,thashë unë

Ti nuk je as grua as kosovar,tha Nikolini

Po pastaj,thashë unë

Do ta fal unë librin,tha Nikolini

Jo do ta blej,thashë unë

Merr “Biseda rreth Seksit “, tha Nikolini

Nuk mësohet seksi nga librat,Nikolin

Ke të drejtë,tha Nikolini

Po marr “Të Huajin” e Albert Kamysë,thashë unë

Për cfarë flet,tha Nikolini

Për një djalë që vrau një arab në plazh,thashë unë

Pse e vrau,tha Nikolini

Se i ra dielli në sy,thashë unë

Qenka kot, tha Nikolini

Po sikur dikush të vriste një arab këtu në Shëngjin, Nikolin?

Nuk ndodh kjo,tha Nikolini

Po pse nuk ndodh Nikolin ?

Në Shëngjin nuk ka arabë, tha Nikolini