Presidenti amerikan Biden u nis të dielën në një udhëtim ku do vizitojë tre vende para samitit të NATO-s në Lituani që synon të tregojë solidaritet me Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, ndërkohë që nuk e ka pranuar ende Kievin si një anëtar të aleancës, shkruan Reuters.
Ndalesa e parë e Biden do jetë në Londër, ku ai do takohet me kryeministrin britanik Rishi Sunak në Doëning Street të hënën dhe më pas do udhëtojë në Kështjellën Windsor për një vizitë me Mbretin Charles.
Biden do udhëtojë për në Vilnius, Lituani, të hënën në mbrëmje dhe do zhvillojë bisedime me krerët e NATO-s atje të martën dhe të mërkurën. Biden dhe aleatët synojnë të tregojnë mbështetje për Ukrainën dhe t’i japin presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy disa udhëzime e çfarë do duhet të bëjë për të fituar anëtarësimin në NATO në një moment në të ardhmen.
Në një intervistë për CNN që parashikonte udhëtimin e tij, Biden kërkoi kujdes për momentin në përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, duke thënë se aleanca mund të tërhiqet në luftë me Rusinë për shkak të paktit të mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s.
“Unë nuk mendoj se ka njëzëshmëri në NATO nëse do futet apo jo Ukraina në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte,” tha Biden.