Presidenti Joe Biden i tha CNN në një intervistë ekskluzive se Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO, duke thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se aleanca të shqyrtojë shtimin e Kievit në radhët e saj.
Biden i tha Fareed Zakaria të CNN se ndërsa diskutimi për anëtarësimin e afërt të Ukrainës në NATO ishte i parakohshëm, SHBA dhe aleatët e saj në NATO do të vazhdojnë t’i ofrojnë presidentit Volodymyr Zelensky dhe forcave të tij sigurinë dhe armatimin që u nevojiten për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Biden foli me Zakaria-n përpara udhëtimit të tij njëjavor në Evropë, i cili përfshin një samit të NATO-s në Lituani, ku lufta e Rusisë në Ukrainë dhe shtytja e Zelenskyt për anëtarësimin në NATO do jenë ndër çështjet kryesore që do diskutohen gjatë mbledhjes.
“Unë nuk mendoj se ka njëzëshmëri në NATO në lidhje me futjen apo jo të Ukrainës në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte.” – tha Biden.
Biden tha se ai ka folur me Zelensky-n gjatë për këtë çështje, duke thënë se ai i ka thënë presidentit ukrainas se SHBA do vazhdojë të sigurojë siguri dhe armatim për Ukrainën, siç bën për Izraelin, ndërsa lufta vijon.
“Unë mendoj se ne duhet të përcaktojmë një rrugë racionale që Ukraina të jetë në gjendje të kualifikohet për të qenë në gjendje të hyjë në NATO,” tha Biden, duke vënë në dukje se ai kundërshtoi kërkesat e presidentit rus Putin para luftës për një angazhim për të mos pranuar Ukrainën sepse aleanca ka ‘një politikë të dyerve të hapura’.