Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna e fisit Rraja për guroren, kompania s’paguante detyrimet që në vitin 2012


Gurorja e Përparim Rrajës në Borizanë të Krujës u bllokua nga policia dy ditë pas dhunës së ushtruar nga familjarët e ish-deputetit të PS Rrahman Rraja ndaj banorëve të zonës që u ankuan për dëmtimin e banesave.

Sipas policisë, bllokimi i aktivitetit në subjektin gurore “Delia Group” 300 metër mbi fshatin Borizanë, u bë pas inspektimit në bashkëpunim me AKBN dhe AKSEM. Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga ky aktivitet.

Specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave. Aktet e përpiluara do të referohen në Prokurorinë e Tiranës, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023.

Sipas verifikimit në QKB, kompania “Delia Group” rezulton se ka shtuar adresën e veprimit në Borizanë, në datën 29 qershor 2023 me objekt kryesor, aktivitetin në fushën e ndërtimit.

Administrator i kompanisë që kryen punimet e gërmimit rezulton Viktor Delia. Më herët, policia e shtetit ka deklaruar se pronar i gurores dhe disponues i licencës, është shtetasi Parparim Rraja, kushëri i ish-deputetit të PS në Krujë, Rrahman Rraja.

Emërtesa tregtare e subjektit që disponon licencën është “Doku P”, e themeluar në vitin 2000 me objekt prodhim dhe tregtim te Inerteve dhe transport nderkombetar i tyre. Themeluesi i subjektit “Doku P”, Pellumb Doku, ia ka shitur 50 për qind të kuotave shtetasit Përparim Rraja me një kontratë të datës 27 qershor 2012.

Nga verifikimi i ekstraktit historik në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se subjekti deri në këtë kohë nuk ka pasur probleme në ushtrimin e aktivitetit. Por pas vitit 2012 ekstrakti historik tregon një seri problematikash në aktivitetin e kompanisë.

Në 27 korrik 2015, përmbarimi ka bërë vendosjen e sekuestros mbi kuotat e debitorit, Përparim Rraja duke ndaluar tjetërsimin e tyre. Lista e dokumenteve për të kuptuar çfarë ka ndodhur konkretisht, nuk është e disponueshme.

Po kështu, në datat 3 dhe 5 shkurt 2016, ndaj Shoqërisë DOKU P, me Administrator Përparim Rraja janë depozituar dy vendime për masën e sekuestros konservative. Njëri dokument nuk hapet ndërsa në tjetrin theksohet se sekuestrimi lidhet me detyrimin e kompanisë ndaj Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, në shumën 281 mijë lekë.

Më 9 shtator 2016 në QKB është depozituar një urdhër tjetër vendosje e masës së sekuestros konservative ndaj shoqërisë “DOKU P” shpk me NIPT-K04226220T, kësaj radhë duke përfshirë edhe subjektin “Tre Yje” me NIPT-L21927009T në masën e detyrimit total prej 7.240.888, lekë.

Sekuestroja lidhet me detyrimin ndaj bankës për kredinë e marrë ku kompania “tre Yje” kishte hyrë garantor për biznesin e Përparim Rrajës, ndërkohë që disponohej nga Pëllumb Doku, personi që i kishte shitur biznesin kushëririt të ish deputetit në vitin 2012.

Më 30 nëntor 2016 Permbaruesi “Euglent Osmanaj” përcjell vendimin e gjykatës për vendosjen e sekuestros konservative ndaj Shoqerisë “Doku P”, për llogari të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, ndërkohë që në dokument nuk ka vlerë.

Në 24 korrik 2017, shoqëria e Përparim Rrajës vendoset sërish nën sekuestro për detyrimin në vlerën 281.200 lekë ndaj Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Në 27 korrik 2017 Përparim Rraja i ka zgjatur periudhën qëndrimit si administrator i kompanisë deri në 26/06/2022. Në 3 gusht 2017, përmbarimi ka vendosur një tjetër masë sekuestroje ndaj subjektit DOKU P për detyrim të pa paguar ndaj Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në vlerën 125.200 lekë.

Precedenti më i rëndë është ai i 27 marsit 2018, ku sipas një shkrese të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të siguruar nga Report Tv, rezulton se për subjektin Doku P, në pronësi të Përparim Rrajës kishte nisur procedura për revokimin e lejes.

Ai disponon lejen minerare nr 1439 të dhënë në 01.10.2009 të dhënë e cila me propozimk të AKNB duhej revokuar pasi subjekti Doku P, në pronësi të kushëririt të ish deputetit Rraja, nuk kishte paguar garancinë financiare të rehabilitimit të mjedisit, në shumën 337641 lekë, siç e përcakton ligji.

Ministria njofton kompaninë se leja e dhënë për mineral brekçie shpati, në objektin “Muklje Krujë” në qarkun Durrës, do të revokohej brenda 30 ditëve. Mesa duket kompania e ka shlyer detyrimin pas këtij njoftimi, pasi nga verifikimi i kryer prej Report TV, në listën zyrtare të lejeve aktive në faqen e ministrisë së Energjitikës, Doku P ka vijuar ta disponojë të njëjtën leje që u bë objekt rishikimi në vitin 2018.

Për shkak të vlerës së lartë të detyrimeve të vazhdueshme, në datën 17 dhjetor 2018 vendoset sekuestro ndaj shoqërisë Doku dhe ndaj të gjitha shoqërive të tjera të Përparim Rrajës në regjistrin tregtar për efekt të likuidimit të një gjobe, bazuar në vendime e gjykatës së vitit 2016 dhe vitit 2015.

Tri vite pas këtyre vendimeve, kompania e Përparim Rrajës nuk kishte shlyer ende detyrimet e njohur nga gjykata, ndërkohë që dokumenti i QKB, nuk i jep vlerat. Në 17 janar 2019, përmbarimi vendos sërish masën e sekuestros në aktivitetet e kompanisë “DOKU P” për shkak të detyrimit të pa paguar ndaj AKBN-së në vlerën 125.200 lekë, njohur me vendim të gjykatës administrative në vitin 2017.

Gjashtë muaj më vonë, në 17 qershor 2019, vendosjet sërish sekuestro konservative mbi aksionet e Përparim Rrajës, në masën 100 për qind, për shkak të gjobës së vendosur nga AKBN, por dokumentacioni në QKB nuk jep vlerën e saj.

Në 26 gusht 2019, për herë të parë Drejtoria Tatimore Durrës, kërkon vendosjen e Barrës së Sigurisë ndaj kompanisë dhe mos lejimin e tjetërsimit të saj deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore. Dokumentacioni nuk hapet për të mësuar detajet e çështjes.

Më 18 nëntor 2019 shoqëria Përmbarimore” E.P.S.A”urdhëron bllokimin e kuotave/aksioneve për debitorin “DOKU P” SHPK, për të shlyer detyrimet ndaj Agjencisë së Burimeve Natyrore ndër vite. Në këtë rast përmbarimi bën ekzekutim të detyrueshëm duke vënë sekuestro mbi kreditë e shoqërisë Doku P në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit.

Më 20 prill 2020, Drejtoria e Tatimeve në Durrës kërkon vendosjen e masës së sigurimit tatimor, mbi subjektin “DOKU P”, ndërkohë që në QKB dokumenti me detajet nuk është i disponueshëm.

Veprimi i radhës në qendrën e biznesit, pasi kishte marrë shkresat nga Tatimet, është ai i datës 4 nëntor 2020 ku ortaku i shoqërisë vendos mbylljen e një sërë adresash dytësore ku kryente aktivitet.

Në 8 shtator 2021, depozitohet shkresa e drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve për Vendosjen e Mases se Sigurimit te Detyrimit Tatimor, ndaj subjektit “DOKU P” SHPK, deri ne shlyerjen e detyrimeve tatimore.

Dokumenti në fjalë nuk është i disponueshëm. Në 24 qershor 2022 ndaj kompanisë është vendosur sekuestro për llogari të një kompanie shërbimesh telefonie për mospagim të detyrimeve të njohura nga gjykata e Krujës në 26 mars 2015.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja