Vendosni fjalën kyçe....

Protestat në Izrael kundër reformës së qeverisë në gjyqësor hyjnë në javën e 27-të


Mijëra qytetarë anembanë Izraelit organizuan demonstrata të shtunën në javën e 27-të radhazi të protestave kundër një skeme të reformës gjyqësore të propozuar nga qeveria, sipas raporteve të mediave.

Transmetuesi Channel 13 vlerësoi se rreth 140,000 protestues morën pjesë në demonstratën kryesore në Tel Aviv, së bashku me mijëra që protestuan në vende të tjera, përfshirë Jerusalemin dhe Haifën.

“Koha për të ndaluar qeverinë Netanyahu është tani,” tha historiani Yuval Noah në një fjalim në mitingun në Tel Aviv, sipas faqes së lajmeve Times of Israel.

Disa politikanë të lartë izraelitë morën pjesë në mitingje, duke përfshirë ish-ministren e Jashtme Tzipi Livni, e cila iu bashkua një demonstrate përpara rezidencës zyrtare të presidentit Isaac Herzog në Jerusalem.

Policia tha se do mbështeste të drejtën për të protestuar, por paralajmëroi kundër trazirave ose dëmtimit të infrastrukturës. Gazeta Haaretz raportoi se të paktën dy protestues u arrestuan në Tel Aviv.

Projektligji për planin e diskutueshëm të rishikimit të drejtësisë do ketë leximin e tij të parë në parlamentin e Izraelit, ose Knesset, të hënën, pa konsensus midis qeverisë dhe opozitës.

Izraeli ka qenë në trazira politike muajt e fundit lidhur me reformën e planifikuar gjyqësore nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilën opozita e sheh si një rrëmbim pushteti në favor të autoritetit ekzekutiv.

Netanyahu, megjithatë, këmbëngul se plani i tij do përmirësonte demokracinë dhe do rivendoste ekuilibrin midis degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të qeverisë.

Në mars, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, u përkul para presionit dhe njoftoi një ndalim të përkohshëm të planeve mes protestave në gjithë vendin.