Është zbardhur dëshmia e kushërinjve Bilbil e Jashar Maja lidhur me ngjarjen e tre ditëve më parë ku disa anëtarë të fisit Rraja i dhunuan barbarisht në një lokal në Thumanë.
Sipas Bilbil Majes, ai dhe kushëriri i tij u ulën në lokal për të biseduar me inxhinierin e këtij të fundit që kompania që shfrytëzonte guroren të përdorte më pak lëndë shpërthyese gjatë punimeve pasi po u dëmtoheshin banesat.
“Papritmas në ambientet e lokalit kam shquar të hyjnë Xhemal dhe Flamur Rraja, të cilët kanë qenë të armatosur dhe më kanë kërkuar që të shtrihem në tokë. Mes tyre kam shquar dhe pronarin e gurores, të cilin e njoh me pseudonimin Çaku. Flamur dhe Xhemal Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së Rrahman Rraja, më kanë goditur në kokë e trup. Dhe persona të tjerë, të afërm të tyre na kanë goditur pa pushim duke na lënë pa ndjenja në lokal.” – ka deklaruar Bilbil Maja.
Nga ngjarja e rëndë u plagosën dy kushërinjtë ndërsa policia ka shoqëruar disa anëtarë të fisit Rraja e miq të tyre.
Ndërkohë disa prej anëtarëve të fisit Rraja janë shpallur në kërkim. Një ditë pas ngjarjes Rrahman Rraja dorëzoi mandatin si deputet i PS-së.
Ditën e djeshme kryeministri Rama njoftoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm Çuçi e emërimin e Taulant Ballës në vend të tij. Emri i Ballës pret dekretin e presidentit Begaj që të hyjë në fuqi.