Vendosni fjalën kyçe....

FMN: Informaliteti në punësim 50% në Shqipëri, shkak sigurimet e larta në pagat e ulëta


Në Shqipëri, informaliteti në tregun e punës është gati 50% dhe shkak për këtë është norma e lartë e taksimit në pagat e ulëta, evidentoi një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për taksat e punës në Ballkanin Perëndimor.

FMN vëren se informaliteti është më i përhapur në Shqipëri, sesa në Maqedoninë e Veriut apo Serbinë, me rreth 50% të njerëzve në marrëdhënie pune, kundrejt rreth 20% mesatarisht të raportuar për dy vendet e tjera.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi një nivel i tepërt i taksave në pagat e ulëta është pengesa kryesore për formalizimin dhe gjithë-përfshirjen e punësimit, veçanërisht për gratë, analizon Fondi.

Korrigjimi i kësaj anomalie tatimore tek personat me paga të ulëta mund të arrihet para së gjithash nga reduktimin e kontributeve të sigurimeve, duke zhvendosur pjesërisht financimin e pensioneve dhe programeve shëndetësore në baza të tjera tatimore.

Një reformë e tillë mund të perceptohet si reduktim i përfitimeve për arkën e pensioneve, tani kur lidhja kontribut-përfitim është e dobët sidomos në Shqipëri, por një reformë e tillë do të mund të rriste formalizimin e vendeve të punës.

Taksimi i punës në Ballkanin Perëndimor mund të zhvillohet në kontekstin e secilit vend sugjeron FMN, por, taksimi i punës në Ballkanin Perëndimor përballet me sfida të dyfishta të barazisë dhe efikasitetit.

Siç është raportuar kapaciteti i taksimit të punës është i ulët në raport me standardet ndërkombëtare. Kjo rrjedh nga progresiviteti i kufizuar i Tatimit mbi të Ardhurat (TAP) dhe normat e larta dhe të sheshta të Sigurimeve Shoqërore.

Reformat ndaj TAP-it do të ishin të nevojshme në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi, ku norma më e lartë (10 për qind) është shumë e ulët.

Maqedonia e Veriut, me një normë më të lartë (18%), duhet të ulë normën për punëtorët me të ardhura të ulëta (kjo do të përmirësonte progresivitetin dhe do të lehtësonte taksimin në nivele të ulëta të pagave).

Për Shqipërinë duhet të ulet norma e kontributeve për pagat e ulëta, pasi është evidentuar si pengesë për formalizim sidomos në punonjësit e rinj.

Reduktimet e normave të kontributeve janë më të vështira për t’u reformuar kur ato kontribuojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e lidhura me pensionet.

Kontributet që sjellin përfitime universale, të tilla si aksesi në kujdesi bazë shëndetësor ose përfitimet minimale të pensionit, mund të shihen si pothuajse taksa dhe nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të mbledhura nga të ardhurat nga puna. Instrumentet e taksave indirekte si TVSH-ja dhe taksat mjedisore mund të përdoren pjesërisht për kompensimet, sugjeron Fondi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor