Partia politike në Salvador ‘Nuevas Ideas’ zgjodhi presidentin Nayib Bukele të dielën si kandidat të saj për zgjedhjet presidenciale të fillimit të vitit 2024, edhe pse Kushtetuta e vendit nuk lejon mandate të njëpasnjëshme për presidencën.
Bukele, mandati i parë i të cilit filloi në 2019, tha në shtator të vitit të kaluar se do kërkonte rizgjedhje pavarësisht nga ndalimi për mandate të njëpasnjëshme. Në vitin 2021, gjykata më e lartë e vendit – anëtarët e së cilës u emëruan nga një Kongres i kontrolluar nga ‘Nuevas Ideas’ – vendosi që Bukele mund të kërkonte një mandat të dytë.
Vendimi i gjykatës u kritikua nga grupet e të drejtave, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan atë si pjesë të rënies së normave demokratike të El Salvadorit.
Presidenti – i favorizuar në zgjedhjet e 2024 nga gati 70% e salvadoranëve – dhe zëvendëspresidenti i tij Felix Ulloa duhet megjithatë të regjistrohen si kandidatë në Gjykatën e Lartë Zgjedhore (TSE) për të zyrtarizuar kandidaturën e tyre. Bukele, një biznesmen 41-vjeçar i kthyer në politikan, mori detyrën në qershor të 2019-ës pasi fitoi zgjedhjet presidenciale.
‘Lufta’ e tij kundër bandave në El Salvador ka bërë që më shumë se 66,000 njerëz të burgosen dhe i dha Bukeles një popullaritet të paparë. Por ka sjellë edhe akuza nga OJQ-të për shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut dhe negociata me kriminelët.
Bukele i ka mohuar akuzat, por negociatat e fshehta me bandat nuk kanë qenë të pazakonta në El Salvador. Në maj, ish-presidenti Mauricio Funes u dënua në mungesë me 14 vjet burg për negociata me bandat.
Salvadorianët do votojnë më 4 shkurt të vitit të ardhshëm për të zgjedhur një president dhe zëvendësin e tij për mandatin 2024-2029 dhe deputetët deri në 2027.