Këshilli i Mandateve e ka shtyrë për ditën e nesërme vendimin për Arben Ahmetajn, i cili kërkohet të arrestohet nga SPAK-it pasi akuzohet për katër vepra penale lidhur me inceneratorët.
Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se deputetët socialistë i dhanë kohë Ahmetajt që të largohej jashtë vendit e të fshihej nga drejtësia.
“Mbledhja filloi me një kërkesë të opozitës që të ishte e hapur, është e vërtetë që ishte sugjerim i SPAK që të zhvillohej me dyer të mbyllura për të ruajtur sekretin hetimor. Duhej të ishte Këshilli i Mandateve që të vendoste, por në mënyrë arbitrare maxhoranca mori vendimin. Diskutimet nga SPAK, asnjë informacion shtesë veç asaj që është publikuar në media. Për t’i dhënë kohë Ahmetajt, sikundër u konfirmua nga avokatët që ai ishte jashtë vendit. Ata dinin që nuk është arratisur, por ndërkohë nuk dinin se kur kishte ikur dhe ku ndodhej. Kjo është ndihmë që maxhoranca po i jep Ahmetajt për t’u fshehur nga drejtësia.” – tha Bardhi.