Kosova ka pranuar propozimin për uljen e menjëhershme të forcës policore në objektet komunale në veri të vendit dhe përreth tyre.
Ndër pjesët e dakordësuara përfshihet edhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme nëkatër komunat në veri të vendit si dhe kryerja e inspektimeve të sigurisë atje.
Lajmi është konfirmuar nga zyra e BE-së që zbardhi diskutimin mes të dërguarit të BE-së Lajçak e zv.kryeministrit të Kosovës Bislimi.
“Lajçak pati një takim jozyrtar dypalësh me zëvendëskryministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, në Bratislavë më 10 korrik. Ata diskutuan për përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në veri, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat veriore dhe kthimin në zbatim të marrëveshjeve, sipas deklaratës së 3 qershorit. Ata u dakorduan për hapat e parë të Kosovës në këto tri fusha. Këto përfshijnë zvogëlimin e menjëhershëm të pranisë policore në ndërtesat komunale dhe përreth, Kosova të kryejë vlerësime të rregullta të përbashkëta me EULEX-in dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e uljes të mëtejme të kësaj pranie, duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën, si dhe inkurajimin për zgjedhje të parakohshme, e për vendosjen e bazës së kërkuar ligjore”, thuhet në përgjigjen e BE-së për median e Kosovës Koha.