Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani I ftuar sonte në “Top Talk”, u shpreh se kërkesa për arrestimin e ish-zëvendës/kryeministrit Arben Ahmetaj u bë me urdhër politik.
Manjani thotë se porosinë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion e mori nga kryeministri Edi Rama.
“Është dhënë porosia që të futet në burg se ka ngrënë kumbulla dardha në kurriz të udhëheqësit. Nuk është pasojë e reformës së SPAK. Të tjerat janë përralla. Nëse do të analizonim çfarë ka ndodhur, ky është konfirmim i dështimit të reformës në drejtësi, sepse çështja e inceneratorëve nuk do të ndahej në 700 copa nëse do të ishte procedura e duhur. Të kujtohemi në mes të verës që Ahmetaj qenka i korruptuar për inceneratorin e Elbasanit, për të cilin gjykata është në prag të vendimmarrjes. Janë vendime të papjekura, të pastudiuara, të paanalizuara. Ndoshta ata që dënohen po dënohen kot”.
Madje, Manjani, i vlerëson këto hapa “provë flagrante të dështimit të drejtësisë”.
Sipas tij, SPAK nuk duhet t’i ishte drejtuar parlamentit, pasi aty “bëhet vetëm gallatë”.
“Unë dyshoj shumë për provat. Por me siguri e di që nëse SPAK është sot i bindur se Ahmetaj i meriton ato 3 akuza, ta marrë të pandehur, ta çojë në gjyq dhe ta dënojë gjykata, kjo është ligjore.
Këto prova mos t’i zhgarravisin në parlament, aty bëhet gallatë, nëse i kanë këto provat t’i çojnë në gjykatë. SPAK nuk e bën sepse do të hyjë te loja politike, t’i thotë shefit na the të ta sjellim dhe ja ku e ke. Këto konkluzione, para se ta çonin në gjykatë, i çojnë për gallatë në parlament” tha Manjani.