Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga samiti i NATO-s: Gjendja në veriun e Kosovës shumë e rrezikshme, mund të kthehet në vatër zjarri


Kryeministri Rama tha nga Vilnius, ku po mbahet samiti i NATO-s, se gjendja në veriun e Kosovës është tejet e brishtë dhe se mund të kthehet në një vatër zjarri që mund të kërcënojë stabilitetin e rajonit.

Gjatë një bashkëbisedimit me eksperten e Qendrës Evropiane të Këshillit të Atlantikut Rachel Rizzo, kreu i qeverisë tha se grupet ekstreme në veri të Kosovës janë kërcënim dhe bëri thirrje për zgjidhje përmes bisedimeve Prishtinë-Beograd të ngërçit.

“Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, që foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme. Dhe çfarë po ndodh, diçka që është vërtetë shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcenim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës.” – theksoi ai.