Vendosni fjalën kyçe....

Vritet kapiteni rus që komandoi nëndetësen në sulmin ndaj Ukrainës


Stanislav Rzicki, zëvendës shef i departamentit për punë mobilizuese, u vra, u njoftua në kanalet Telegram, Shot, Baza dhe Mash.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS konfirmoi raportet, duke cituar burime policore. Administrata e Krasnodarit ka konfirmuar për mediat se rrethanat e vdekjes aktualisht janë duke u hetuar.

42-vjeçari Rzicki është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e sotëm teksa vraponte në afërsi të Olympus Arena në Krasnodar.

Sulmuesi qëlloi Rzickin katër herë “në shpinë dhe në gjoks” para se ai të zhdukej. Rzicki vdiq në vend. Për vrasjen e tij u hap një çështje penale.

Kanalet në Telegram raportojnë se Rzicki ishte kapiten i rangut të dytë.

Sipas bazës së të dhënave ukrainase Myrotvorets, ai “ka marrë pjesë drejtpërdrejt në pushtimin ushtarak të Ukrainës” dhe komandoi nëndetësen Alrosa, pjesë e Flotës së Detit të Zi.

Mediat ukrainase kanë përfshirë Rzicky në listën e kapitenëve të nëndetëseve ruse, të cilët sipas të dhënave të tyre kanë kryer sulmin në Vinicë më 14 korrik 2022, ku humbën jetën 27 persona.