Deputeti i PD-së Gazment Bardhi e pyeti avokatin e Arben Ahmetajt nëse Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri ka udhëtuar me të dhe me Mirel Mërtirin e Klodian Zoton.
Gjatë mbledhjes në Këshillin e Mandateve, Bardhi e pyeti avokatin Ardian Visha nëse ka prova për ligjshmërinë e pasurisë së Ahmetajt.
“Nëse klienti juaj do ishte prezent, do bashkëpunonte dhe përballej me drejtësinë, mund të kishim qenë mirëkuptues për me shumë kohë për mbrojtje. Por klienti juaj ka ikur jashtë vendit ditën që është kërkuar arrestimi. Kritikuat prokurorinë pse e ka shtrirë hetimin duke nisur që në vitin 2004. Ky lloj hetimi i pasurisë së zyrtarëve duhet të bëhet për të gjithë politikanët. Akuzat nuk kanë natyrë politike, por për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pse jeni ju kundër kontrollit të pasurisë dhe shtrirjes se hetimit që nga 2004? Keni ju prova për ligjshmërinë e kësaj pasurie? Pse ka gënjyer Ahmetaj për raportin me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton? A rezulton që në udhëtime njëlloj si Ahmetaj me keta dy persona, ka qene edhe Damian Gjiknuri? A e konfirmoni ju kete?” – tha Bardhi.
Ndërkohë Visha ka thënë gjatë mbledhjes në Këshillin e Mandateve se nuk gjen drejtësi në SPAK.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të imunitetit të Ahmetajt për t’i hapur rrugën arrestimit, ndërsa deputetët socialistë kanë kërkuar që Këshilli i Mandateve të mblidhet sërish të premten në orën 12:00.
Ish-zv.kryeministri ndodhet jashtë vendit siç konfirmoi dje e sot avokati i tij. Ai theksoi se Ahmetaj ka munguar në dy mbledhjet e Këshillit të Mandateve për arsye familjare. Ahmetaj akuzohet nga SPAK për disa vepra penale lidhur me çështjen e inceneratorëve.