Parlamenti Evropian ka miratuar me 290 vota pro amendamentin grek për lirimin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, i zgjedhur më 14 maj 2023.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve pasi akuzohet për shitblerje votash.
Amendamenti bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të Fredi Belerit dhe mbrojtjen e pronave të pakicës kombëtare greke, shkruan Newsbomb.gr.
Ai u paraqit nga Partia Popullore Evropiane dhe Eurogrupi i së majtës.
“Parlamenti Europian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve lokale të majit, i cili shkeli prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur. Nënvizohet se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti në arsyetimin e vendimit për miratimin e ndryshimeve.” – thuhet në amendamentin e eurodeputetëve grekë.
Gjatë seancës, relatorja e raportit nga Parlamenti Europian, eurodeputetja portugeze Isabel Santos, u kërkoi eurodeputetëve grekë që të respektojnë vendimin e organeve shqiptare të drejtësisë.
“Dëshiroj të përsëris shqetësimet e shprehura nga disa kolegë në lidhje me kryebashkiakun Beleri. Është një rast që po ndiqet nga organet gjyqësore të Shqipërisë dhe ne, me respektimin më të rreptë të ndarjes së pushteteve, duhet të respektojmë ato që janë vendimet e gjykatave.” – tha ndër të tjera Santos.