Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj i çon mesazh në emision direkt Fevziut: Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë…(Video)


Arben Ahmetaj ka reaguar për herë të parë që kur SPAK kërkoi arrestimin e tij për dosjen e inceneratorëve.

Teksa në studion e Opinion po diskutohej çështja e inceneratorëve, Ahmetaj i ka dërguar sms gazetarit Blendi Fevziu në transmetim të drejtpërdrejtë duke theksuar se do dalë kur ‘e vërteta të ketë marrë rrugë’.

Teksa sqaron pozicionin e tij dhe të familjarëve të tij, ish-zv.kryeministri thotë në mesazhin e dërguar se nuk ka favorizuar askënd, se nuk ka pasur asnjë lidhje me procedurën, se ish-gruaja e tij ka shitur pronë në treg të lirë dhe se bashkëjetuesja e tij dhe familjarët e saj kanë blerë një pronë me transkaksion të pastër bankar.

Në mesazhin e dërguar Ahmetaj shkruan gjithashtu se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë pronar i asaj prone që të mund ta falte apo dhuronte.

SPAK kërkon prej disa ditësh arrestimin e Arben Ahmetaj të cilin e akuzon për disa vepra penale për dosjen e inceneratorëve. Ish-zv.kryeministri i ka mohuar akuzat ndërsa avokatët e tij teksa kanë pohuar se ai ndodhet jashtë vendit, kanë theksuar se SPAK po bën shfaqje me dosjen dhe se po përdor metoda të hetuesisë së kohës së komunizmit gjatë hetimit.

Pas dy mbledhjesh të Këshillit të Mandatave, Kuvendi do mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për heqjen e imunitetit të Ahmetajt. Opozita e ka akuzuar shumicën se i dha kohën e nevojshme Ahmetajt që të arratisej e t’i shmangej drejtësisë.

Mesazhi i Ahmetajt

Do dal kur ju të lexoni dosjen.

Do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pas njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta.

Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shit metra katrorë në treg të lirë.

Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksion të pastër bankar një pronë.

Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte.

Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot.

Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë.

Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj.

Do dal kur ta kuptoni që s’kam pas lidhje me procedurën.

Atëherë do dal.

Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit, aq me tepër në opozitë.