Vendosni fjalën kyçe....

Bajram Begaj pritet nga presidentja e Sllovenisë Nataša Pirc Musar


 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u prit sot në një vizitë zyrtare nga Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.

Pas ceremonisë zyrtare të organizuar me këtë rast dhe takimeve kokë më kokë e të zgjeruara midis dy delegacioneve, Presidenti Begaj dhe Presidentja Pirc Musar mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Begaj e konsideroi Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale dhe evropiane, ndaj i shprehu mirënjohje të veçantë Presidentes Pirc Musar për mbështetjen thelbësore dhe të vazhdueshme që ky vend i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kreu i Shtetit ndau mendimin me Presidenten Pirc Musar, se për shkak të zhvillimeve të fundme gjeopolitike, por falë edhe kontributit të Sllovenisë e Grupit të Vendeve Mike të Ballkanit Perëndimor, sot kemi një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit me vendet e rajonit. “Procesi i integrimit nuk konsiderohet më thjesht si një çështje teknike, por edhe si një zgjedhje e vizion strategjik,” –tha presidenti Begaj.

Presidenti Begaj shtoi më tej se: “Duhet të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë të lidhur nga partneriteti ynë në NATO dhe interesat e përbashkëta strategjike në rajonin tonë dhe më gjerë.”

Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së nxitjes më të madhe të tij.

“Vërejmë me kënaqësi një prirje në rritje të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, ku pa dyshim turizmi zë një vend shumë të rëndësishëm. E sigurova Presidenten Pirc Musar që Shqipëria është e interesuar për më shumë investime sllovene në Shqipëri”– tha më tej Presidenti Begaj. Sipas Kreut të Shtetit, rivendosja e linjës ajrore direkte Lubjanë-Tiranë mund t’i japë një shtysë më të madhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, por edhe ndërveprimit të bizneseve.

Presidenti Begaj e falënderoi gjithashtu Presidenten Pirc Musar për kushtet e krijuara për një integrim më të mirë të diasporës shqiptare në Slloveni, falë kuadrit ligjor të miratuar dhe mundësive për të ruajtur identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën amtare. Bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e arsimit dhe kulturës, lufta në Ukrainë, apo mbështetja e dhënë nga Sllovenia për të kapërcyer pasojat e tërmetit të 2019, ishin gjithashtu në vëmendjen e dy presidentëve.