Vendosni fjalën kyçe....

Rusia do i trajtojë avionët F-16 në Ukrainë si kërcënim bërthamor – Kërcënimi i Lavrov


Moska nuk mund të anashkalojë aftësinë bërthamore të avionëve luftarakë F-16, që mund t’i jepen Ukrainës nga mbështetësit e saj perëndimorë, ka thënë ministri i Jashtëm Sergej Lavrov.

Duke vazhduar ofrimin e armëve më të sofistikuara për Kievin, ‘SHBA dhe satelitët e saj të NATO-s krijojnë rrezikun e një konfrontimi të armatosur të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe kjo mund të çojë në pasoja katastrofike’, paralajmëroi Lavrov në intervistën e tij me Lenta.ru të mërkurën.

“Planet për furnizimin e Kievit me F-16 janë një shembull tjetër i një lëvizjeje përshkallëzuese nga Perëndimi dhe në vetvete është një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha ai.

“Ne kemi informuar fuqitë bërthamore, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën, se Rusia nuk mund të anashkalojë aftësinë e këtyre avionëve për të mbajtur armë bërthamore”, vazhdoi ministri i Jashtëm.

“Asnjë garanci [nga Perëndimi] nuk do të ndihmojë këtu,” paralajmëroi ai. Në mes të luftimeve, ushtria ruse nuk do të hetojë nëse ndonjë avion specifik është i pajisur për të ofruar armë bërthamore apo jo, shtoi ai.

“Vetë fakti i shfaqjes së sistemeve të tilla brenda Forcave të Armatosura të Ukrainës do konsiderohet nga ne si një kërcënim nga Perëndimi në fushën bërthamore”, tha Lavrov.

Në një intervistë në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius të mërkurën, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se ‘do ketë transferim të avionëve F-16 në Ukrainë, me gjasë nga vendet evropiane që kanë furnizime të tepërta’.

Një ditë më parë, Danimarka njoftoi se një ‘koalicion’, i cili përfshin Holandën, Belgjikën, Kanadanë, Luksemburgun, Norvegjinë, Poloninë, Portugalinë, Rumaninë, Britaninë e Madhe dhe Suedinë, do fillonte stërvitjen e pilotëve ukrainas për të fluturuar avionin.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba sugjeroi në fillim të kësaj jave se F-16-ët e parë të pilotuar nga ukrainasit mund të ngriheshin në qiell ‘deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm’.