Vendosni fjalën kyçe....

SPAK: Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit lejoi hapjen e segmentit që dëmtoi fondin pyjor


Prokuroria e Posaçme ka dhënë informacion zyrtar lidhur me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Fushë Arrëzit Fran Tuci.

Tuci u arrestua pasi lejoi hapjen e një segmenti të rri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz.

Sipas SPAK hapja e segmentit të ri rrugor ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor

Policia Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datat 12.07.2023 dhe 13.07.2023, masat e sigurimit të caktuara ndaj shtetasve F. T. dhe N. M. Ndërkohë vijon procedura e ekzekutimit të masës së sigurimit të caktuar ndaj shtetasit tjetër në hetim D. M.

Pas përcjelljes së akteve procedurale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Pukë, për shkaqe kompetence lëndore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 67 të vitit 2023, me objekt hetimi procedurën e ndjekur për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, shtetasi F.T., në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz”-njofton SPAK.