Sali Berisha i ka shkelur syrin deputetit të PD-së Gazment Bardhi i cili lexoi raportin e opozitës gjatë seancës ku u vendos heqja e imunitetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë blu, Berisha tha se Bardhi i meritonte duartrokitjet pasi kishte thënë të vërtetën e madhe duke denoncuar kryeministrin Rama si sipërmarrësin e aferës së inceneratorëve.
Po kështu ish-kryeministri tha se është i hapur për Bardhin e deputetë të tjerë demokratë duke thumbuar ish-kreun Basha.
“Pse e duartrokita Gazment Bardhin? Se e mbylli fjalimin me të vërtetën më të madhe të kësaj afere.
U tha shqiptarëve se sipërmarrja është e Edi Ramës. Duhet të budallepsësh çdo institucion, të besosh se ndërmarrja është e Klodian Zotos. Dhe Gazment Bardhi e tha me qartësinë më të madhe dhe meritonte duartrokitjet e plota dhe i kam bërë me zemër. Absolutisht jam i hapur në çdo kohë se ata janë deputetë të PD. Tjetër është skenari i Ramës me Lul Bravën, tjetër janë kundërshtirat brenda PD-së”, tha Berisha.