Deputetët e grupit të Berishës, i kanë dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollës një kërkesë për mocion me debat publik urgjent në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Në shkresë thuhet se seanca e sotme plenare u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, ndërsa kërkojnë mbledhjen sot të Konferencës së Kryetarëve. Ndërkohë deputetët kërkojnë që kjo çështje të jetë në rendin e ditës më 20 korrik.
KERKESA
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë i kanë dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zj. Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me debat publik URGJENT në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhrin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar.
Seanca plenare e ditës së premte, datë 14.07.2023 u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, e cila në Nenin 73, pika 4 e saj, parashikon diskutim si dhe votim të hapur me qëllim që opinioni publik të vihet në dijeni mbi qëndrimet e secilit deputet. Ndaj: Meqenëse seanca e ditës së sotme nuk e garantoi mundësinë e debatit për një cështje të një rëndësie madhore, kërkojmë nga ana juaj:
Mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte date 14.07.2023, të Konferencës së Kryetarëve dhe futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të dt 20.7.2023, të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë;
Çdo deputet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta; Lista e folësve për Mocionin me Debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues të Mocionit me Debat dhe më pas mund të vijojnë folësit apo diskutantët e tjerë.