Vendosni fjalën kyçe....

India nis misionin në Hënë


Chandrayaan-3, përpjekja e fundit nga Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore (ISRO) për të ulur një pajisje robotike në sipërfaqen e hënës, u ngrit me sukses në orën 14:35 me kohën lokale nga Qendra Hapësinore ‘Satish Dhawan’ në Sriharikota në bregdetin lindor të vendit.

Nisja vjen tre vjet pasi një përpjekje e mëparshme për të eksploruar sipërfaqen e Hënës dështoi.

Nëse misioni është i suksesshëm, India do bëhet vendi i katërt që ka arritur një ulje të butë në sipërfaqen e Hënës, duke u bashkuar me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Mjeti pritet të arrijë në Hënë më 23 ose 24 gusht.

“Chandrayaan-3 ka filluar udhëtimin e tij,” tha kryetari i ISRO Sreedhara Panicker Somanath të premten pas lëshimit, i cili u shikua në internet nga më shumë se 1.4 milion njerëz, tha Reuters.

Kryeministri Narendra Modi tha në mediat sociale përpara nisjes se misioni ‘do mbajë shpresat dhe ëndrrat e kombit tonë’.

Është misioni i parë i madh që kur qeveria e Modi njoftoi një përpjekje për të siguruar investime nga kompanitë private për të rritur ambiciet e hapësirës ajrore të Nju Delhit në fillim të këtij viti.

Rreth 16 minuta pas ngritjes, kontrolli i misionit ISRO konfirmoi se tokëzuesi kishte hyrë në orbitën e Tokës nga ku do kthehej drejt Hënës muajin e ardhshëm.

Anija kozmike do ishte gjithashtu e para që do ulej në rajonin polar jugor të satelitit të vetëm natyror të Tokës, një zonë kryesisht e paeksploruar e sipërfaqes hënore që është theksuar nga agjencitë hapësinore dhe kompanitë private si me akull uji, i cili potencialisht mund të ndihmojë në mbështetjen në të ardhmen të misioneve të ndryshme, ndoshta edhe një stacion hapësinor.

Anijes kozmike pritet t’i duhen rreth 15 deri në 20 ditë për të hyrë në orbitën e Hënës, pas së cilës zbarkimi 1500 kilogramësh do drejtohet në sipërfaqe.