Një 55-vjeçar shqiptar është vrarë nga një karabinier Italian pasi përplasi me makinë dhe tentoi të qëllonte me thikë kolegun e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Padova, Itali. Viktima është qëlluar me 4 plumba.
Sipas medias italiane, Çollaku kishte shkuar me makinë poshtë banesës së ish-bashkëshortes, me të cilën kishte një histori përndjekjeje e dhune.
Ndaj Çollakut kishte një urdhër për të mos iu afruar banesës së ish-bashkëshortes. Vajza 12-vjeçare e çiftit kishte njoftuar policinë pasi kishte parë të atin dhe në vendin e ngjarjes ka shkuar patrulla.
Sipas medias së vendit fqinj Çollaku ka tentuar të godasë me makinë e të qëllojë me thikë oficerin e policisë që kishte shkuar t’i kontrollonte dokumentet e më pas kolegu i tij e ka qëlluar me 4 plumba, 2 në këmbë e 2 në trup.
Efektivi është dërguar në spital ndërsa 55-vjeçari humbi jetën nga plagët.