Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është në mesin e disa figurave të shquara hebreje që kanë qortuar ashpër policinë suedeze pas një ‘vendimi të turpshëm’ për të lejuar një protestë në të cilën do digjet një kopje e Biblës Hebraike.
Protesta, e cila do zhvillohet të shtunën pranë ambasadës izraelite në Stokholm dhe ka të ngjarë të përfshijë gjithashtu djegien e një rrotulle të Torahut, është një shprehje e fjalës së lirë, sipas një aplikimi për leje të dorëzuar në polici.
“Policia nuk lëshon leje për të djegur tekste të ndryshme fetare,” tha Carina Skagerlind, një oficere shtypi për policinë e Stokholmit.
“Policia lëshon leje për të mbajtur një tubim publik dhe për të shprehur një mendim. Ky është një “dallim i rëndësishëm”, tha ajo.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, megjithatë, dënoi ‘shumë ashpër këtë vendim të turpshëm që dëmton shenjtërinë e popullit hebre’, sipas Times of Israel të premten. Presidenti i vendit Isaac Herzog u pajtua, duke e quajtur protestën e planifikuar një akt të ‘urrejtjes së pastër’.
Ministri i Jashtëm i Netanyahut, Eli Cohen tha gjithashtu se ai e kishte përcjellë kundërshtimin e tij për ‘lejen e policisë për të dëmtuar objektet e shenjta hebreje’ te ambasadën e Stokholmit në Izrael. Ai shtoi se e sheh demonstratën si ‘një krim urrejtjeje, një provokim që i shkakton dëm të rëndë popullit hebre dhe traditës hebreje’.
Demonstrata e planifikuar vjen pak më shumë se dy javë pasi një kopje e Kuranit u dogj pranë xhamisë kryesore të Stokholmit, duke tërhequr kritika të gjera nga bota myslimane. Incidenti i diskutueshëm madje kërcënoi të ndërlikonte edhe më shumë pranimin e Suedisë në bllokun ushtarak të NATO-s pas ankesave të Turqisë, përpara se Ankaraja të tërhiqte kundërshtimet e saj.
Vende të ndryshme, Iraku, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maroku, thirrën ambasadorët e Suedsisë në vendet e tyre duke kërkuar një shpjegim për incidentin e djegies së Kuranit, ndërsa Organizata e Bashkëpunimit Islamik mbajti një takim urgjent të 57 anëtarëve të saj për të diskutuar situatën.
Qeveria e Suedisë e dënoi djegien e Kuranit si ‘islamofobike’, por tha se qytetarëve të saj u garantohet një ‘e drejtë e mbrojtur me kushtetutë për lirinë e tubimit, shprehjes dhe demonstrimit’.
Autoritetet në vendin skandinav më vonë hapën një hetim mbi pretendimet për ‘agjitacion kundër një grupi etnik’, duke pasur parasysh se Kurani ishte djegur në afërsi të xhamisë më të madhe të Stokholmit.