Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se i vodhi kuletën me para dhe bizhuteritë një shtetaseje në Himarë, arrestohet 41-vjeçari


Një 41-vjeçar është arrestuar në Himarë pasi dyshohet për vjedhje.

Shtetasi F.M me precedent të mëparshëm penal u kap pasi i vodhi një shtetaseje në shëtitoren e qytetit të Himarës kuletën me para dhe bizhuteri floriri.

Atij iu sekuestruan sendet me vlerë për provë materiale ndërsa ai dyshohet edhe për vjedhjen e tre celularëve.

Si rezultat i patrullimit të pandërprerë në terren, veprimeve të shpejta hetimore dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pocket”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. M., 41 vjeç, banues në Fier.

41-vjeçari, me precedent të mëparshëm për dhunë në familje dhe kalim të paligjshëm të kufirit, u kap menjëherë pasi i kishte vjedhur një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit të Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt, me vlerë totale rreth 60 000 lekë.

Sendet e vjedhura u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet hetimore rezultoi se 41-vjeçari është gjithashtu autor i dyshuar i vjedhjes së 3 celularëve, në banesën e një shtetaseje, vjedhje e kryer më datë 26 qershor 2023, në Himarë.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.