Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e grurit ukrainas drejt skadimit, asnjë sinjal për shtyrje


 

Rriten shqetësimet nëse Rusia do të pranojë të shtyjë një marrëveshje për eksportimin e grurit ukrainas, afati i së cilës përfundon më 17 korrik. Ndërkohë luftimet kanë vazhduar me intensitet të shtuar në Kherson, rajon në jug të Ukrainës. Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të këtij vendi ka shpërndarë pamje filmike që tregojnë forcat ukrainase duke kryer kontrolle një ishull të pushtuar nga Rusia në lumin Dnipro në rajonin e Khersonit.

Ndërsa lufta vazhdon, marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas po skadon. Marrëveshja e njohur si “Gruri i Detit të Zi” përfundon më 17 korrik. Sot në Stamboll mbërriti anija e parafundit.

Anija “TK Majestic”, u ankorua pasi kaloi ngushticën e Bosforit në orët e para të së shtunës. Një zyrtare e OKB-së njoftoi se anija fundit “TQ Samsun”, është ende në portin e Odesës në Ukrainë.

Kremlini tha sot se Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e Afrikës e Jugut, Cyril Ramaphosa edhe mbi çështjen e marrëveshjes. Sipas njoftimit të presidencës ruse, zoti Putin është ankuar se “zotimet për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të grurit dhe plehrave, nuk ishin mbajtur ende”.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës në korrikun e vitit të kaluar për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore të përkeqësuar nga agresioni rus dhe bllokada e Moskës ndaj porteve ukrainase./VOA