Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Luftë sistematike trafikimit të lëndëve narkotike në të gjithë vendin


 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla një ditë pas marrjes zyrtare të detyrës, premton një luftë sistematike kundër trafikimit të lëndëve narkotike në vend.

Balla në një reagim, përgëzon Drejtorinë e Policisë dhe Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar “Rrjeti”, duke shtuar se pret më shumë goditje si kjo.

“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar. Përgëzime Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar “Rrjeti”. Pres më shumë goditje si kjo”, shkruan Balla.

Megaoperacioni “Rrjeti” u zhvillua më 29 qershor 2023, ku u goditën katër grupe kriminale dhe kanë rënë në pranga 54 persona, të cilët prodhonin dhe shpërndanin lëndë narkotike në qytete të ndryshme të vendit tonë. Po ashtu janë sekuestruar sasi të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.