Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Vëllai e djali i ish-deputetit Rraja të arrestohen sa më parë, policia s’e bëri detyrën, u bë mburojë e paligjshmërisë


Ministri i Brendshëm Balla preku gjatë takimit të parë më strukturat e institucuonit që drejton çështjen e dhunës së fisit Rraja në Fushë Krujë.

Ai tha se i kishte kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Rrumbullaku e atij të Tiranës Vocaj ndalimin sa më shpejt të vëllait të ish-deputetit socialist Rrahmaj Rraja dhe të birit dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Balla kritikoi policinë e Krujës duke thënë se nuk bëri detyrën duke anuar nga paligjshmëria kundër banorëve.

“Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte ndalimi sa më pare i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht. Po ndërkohë Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë. Një orë e më parë! Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë, ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja e autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe.” – tha Balla.

Balla tha se në Shqipëri nuk mund të ketë bajraqe dhe se askush nuk qëndron mbi ligjin teksa u bëri thirrje efektivëve të zbatojnë ligjin njësoj për të gjithë e të tregojnë kujdes të shtuar për të mos lejuar mbjelljen e kanabisit në vend.

Ministri i ri u bëri thirrje gjithashtu drejtuesve të policisë që të shmangin uljet në kafe e restorante gjatë punës apo pas saj vetëm në raste familjare dhe pasi kanë njoftuar më parë eprorët.

“Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, po ndodh fatkeqësisht edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, jo vetëm të frekuentojnë lokale ditën e natën, po edhe të kenë kontakte të papërshtatshme në mjediset e tyre, ku deri edhe u përcillen krimineleve informacione sensitive të punës dhe aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them, është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral.” – shtoi Balla.