Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Dosja ‘Ahmetaj’ tregoi se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar


Ish kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me mbështetësit demokratë në qytetin e Dibrës, ndërsa ka deklaruar përmes një postimi në Facebook se fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.

Sipas tij dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK.

Basha shprehet se vetëm përmes një vettingu politikanësh do të tregohet kush është i pastër e kush jo.

 

Postimi i plotë:

 

Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.

Mënyra më e thjeshtë për të hetuar një çështje ku dyshohet se një figurë, në këtë rast politike është përfshirë në afera korruptive, ndiq paranë. Shiko çfarë shpenzon. Shiko pronat e tij dhe familjarëve të tij.

Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo.

Dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, duke nisur me:

Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;

Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;

Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;

Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.

Ajo që i dhemb më shumë botës së krimit dhe të korruptuarve është sekuestrimi i pasurive.

Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët duke mundësuar:

 

Listat e hapura;

Vetting-un e politikanëve;

Votën e diasporës;

Kufizimin e mandatetev;

Zgjedhjen e Presidentit nga populli.

Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.

Ky është misioni i ri i Partisë tonë! Një parti që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që do ndërmarrim për Shqipërinë.