Vendosni fjalën kyçe....

Kurti takon Lajçak në Greqi, bisedime për uljen e tensioneve


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi.

Gjatë këtij simpoziumi, Kurti ka takuar edhe të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Siç njofton kryeministri në “Twitter”, me Lajçakun është biseduar për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Pata një bisedë të gjatë me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë. U bisedua për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, tha Kurti.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi serbët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në veri, që hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët po kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve të rinj.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja.

Kosova edhe më herët nuk është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri të banuara me shumicë serbe, por zyrtarët shtetërorë kanë kërkuar që ato të përgatiten në mënyrë që të mos ketë bojkot.

Zgjedhjet e fundit në veri, ato të prillit kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.