Operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë është arsyeja e krizës së kostos së jetesës në Gjermani, tha ministrja e Jashtme Annalena Baerbock për gazetën Bild në një intervistë të botuar të shtunën.
E pyetur për një shpjegim për premtimin e fundit të Berlinit për ndihmë ushtarake për Kievin, ndërkohë që Gjermania vuan nga rritja e inflacionit, duke i bërë njerëzit të shkurtojnë shpenzimet si pushimet, Baerbock tha, ‘njëra nuk ka të bëjë fare me tjetrën’. Ajo pohoi se nuk është ndihma ushtarake për Ukrainën që po rëndon në xhepat e gjermanëve, por operacioni ushtarak i Rusisë.
“Kjo luftë ruse nuk është vetëm shkaku i situatës katastrofike në Ukrainë, por është edhe arsyeja pse ekonomia botërore është futur në një krizë tjetër pas Covid-19, që uria në botë është rritur, që ne jemi gjithashtu në një recesion ekonomik në Evropë, sepse e kemi bërë veten të pavarur nga gazi dhe nafta ruse”, tha Baerbock.
“Me fjalë të tjera, të gjithë atyre që tani thonë: ‘Bëni diçka për inflacionin’, unë u përgjigjem: “Kjo është një nga arsyet pse kjo luftë duhet të ndalet”.
Baerbock tha se fakti që njerëzit nuk kanë para të mjaftueshme për të shkuar me pushime e lëndon atë gjithashtu, por u bëri thirrje njerëzve ‘të kenë kujdes që të mos fillojmë të shikojmë larg nga ajo që po ndodh në Ukrainë kur flasim për pushimet sepse edhe kjo luftë nuk na ka lënë pa prekur’.